Deri më tani, Beogradi zyrtar nuk ka reaguar ndaj lajmit se kundër Millan Radoiçiqit është lëshuar fletarrestim prej Agjencisë Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL), për shkak të sulmit të një grupi të armatosur, ndaj Policisë së Kosovës, në Banjskë të Zveçanit.
Lajmin për këtë fletarrestim e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë (REL), ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, duke thënë se fletarrestimi është lëshuar me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK).
INTERPOL-i nuk i konfirmoi në mënyrë specifike pretendimet për lëshimin e fletarrestimit.
Në përgjigjen e tyre për REL-in, ata thanë se pyetja duhet referuar tek “autoritetet kombëtare kompetente”.
As Ministria e Drejtësisë, dhe as Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it në lidhje me fletarrestimin, deri në kohën e publikimit të këtij artikulli.
Përgjigje nuk kanë ardhur as prej Qeverisë dhe Presidencës së Serbisë.
Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, e mbështetur nga Beogradi zyrtar, mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, në veri të Kosovës, më 24 shtator, ku është vrarë zyrtari policor i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në shkëmbim e sipër të zjarrit mes grupit dhe Policisë së Kosovës, janë vrarë edhe tre pjesëtarë të grupit të armatosur.
Autoritetet e Kosovës pretendojnë se pas sulmit në Banjskë qëndron edhe shteti i Serbisë, pretendim që e mohon Beogradi zyrtar.
A është i mundur ekstradimi i Radoiçiqit?
Serbia nuk është e detyruar ta arrestojë dhe ekstradojë Millan Radoiçiqin, sepse fletarrestimi i INTERPOL-it është një njoftim për vendet anëtare të asaj organizate ndërkombëtare policore, se një shtet tjetër po kërkon një person, shpjegon për REL-in, Bojan Ellek nga Qendra joqeveritare e Beogradit për Politika të Sigurisë.
Siç thotë ai, fletarrestimi, para së gjithash, mund ta pengojë Radoiçiqin të udhëtojë jashtë Serbisë, kryesisht në vendet që kanë marrëdhënie të mira dypalëshe me Kosovën, pasi ato mund të veprojnë sipas fletarrestimit dhe ta arrestojnë atë.
“Fletarrestimi i INTERPOL-it zbatohet, sepse vendet anëtare veprojnë sipas legjislacionit të brendshëm, dhe sipas legjislacionit të brendshëm, Serbia nuk e njeh Kosovën dhe nuk ka marrëveshje ekstradimi”, thotë Ellek.
Ai, po ashtu, thekson se Serbia me siguri nuk do të veprojë sipas fletarrestimit, pasi që edhe institucionet në Beograd janë duke zhvilluar procedurë kundër Radoiçiqit.
“Potencialisht mund të jetë problem nëse Serbia nuk e udhëheq atë hetim si duhet dhe nëse nuk komunikon në mënyrë aktive, pasi ka rekomandime nga Bashkimi Evropian, madje edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, kur erdhi në Beograd, insistoi që Serbia të zbatojë hetim adekuat për Banjskën”, thotë Ellek.
Autoritetet kompetente të Serbisë e ndaluan Radoiçiqin, më 3 tetor, në Beograd me akuzën e “bashkimit me qëllim të kryerjes së veprave kriminale, prodhimit, posedimit, mbajtjes dhe trafikimit të armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese, dhe krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.
Mirëpo, një ditë më vonë, ai u lirua, me kusht që të mos largohej nga Serbia, dhe iu ndalua të shkonte në Kosovë.
Ditët pas sulmit, Policia e Kosovës gjeti një arsenal të madh armësh në Banjskë.