14 persona janë lënduar, nga të cilët 12 janë nxënës në një aksident trafiku në magjistralen Pejë-Mitrovicë, konkretisht në fshatin Gurrakoc.
Kështu ka bërë të ditur për tëvë1.info, zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili tha se në aksident janë përfshirë një veture dhe një kombi-bus me nxënës.
“Sot rreth orës 13:07 policia është njoftuar për një aksident në magjistralen Pejë – Mitrovicë konkretisht në fshatin Gurrakoc. Më të marrë lajmin policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kuptuar se në aksident kanë qenë të përfshira dy vetura, një veturë dhe një kombi-bus me nxënës. E nga ky aksident policia njofton se janë lënduar 14 persona prej tyre 12 nxënës dhe dy shoferët e automjeteve”, ka thënë ai.
Gashi më tej, ka thënë se personat e lënduar janë dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Istog dhe me udhëzimin e mjekut janë dërguar në Emergjencën e Spitalit rajonal të Pejës.
“Pas kontrolleve dhe tretmanit mjekësor që ju është bërë personave të lënduar sipas mjekut kujdestar të gjithë personat e përfshirë në aksident janë lënduar, përveç një nxënësi i cili po vazhdon të trajtohet në këtë spital”, ka njoftuar Gashi.
Ai ka shtuar se me urdhër të prokurorit, njëri nga vozitësit është shoqëruar në njësitin e hetuesisë për aksidente që të japë intervistën si i dyshuar për shkaktimin e aksidentit.